image Kryetari i Vitisë kërkon ndihmë konkrete nga qeveria për ta luftuar koronavirusin

Kosovë

Kryetari i Vitisë kërkon ndihmë konkrete nga qeveria për ta luftuar koronavirusin

news image

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti po kërkon ndihmë konkrete nga Qeveria e Kosovës për ta luftuar koronavirusin, pasi komuna të cilën e drejton ai është në izolim për shkak të virusit vdekjeprurës. Haliti në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se u nevojitën rroba mbrojtëse, ushqim dhe dezinfektues.

Ai ka thënë se deri më tani kanë pranuar 3 mijë maska dhe doreza nga qeveria.

“Ministria na ka dërguar vetëm disa doreza dhe maska të thjeshta, kurrgjë tjetër. Se di sa janë mjaftueshëm 3 mijë copa maska, për një përdorim janë. Vetëm këto i kanë pru, sa janë ndihma këto nuk e di. Neve na nevojiten dezinfektues, rroba mbrojtëse, maska më të sofistikuara, stafi mjekësor që janë në kontakt të drejtpërdrejtë, një varg masash janë që nevojitën ndihmat, nuk mundesh me i thanë ndihmë disa pako doreza edhe disa maska”, ka thënë Sokol Haliti për Gazetën Sinjali.

Kryetari i Komunës së Vitisë ka thënë se u nevojitet ushqim pasi banorët e kësaj komune janë të izoluar.

“Ne jemi në kontakt me qeverinë neve po na duhet ndihmë konkrete, me na dërguar mjete konkrete, të gjitha ato që janë të nevojshme që po i kërkojnë duhet me na i dërgu. Unë jam t’u deshtë ndihmë konkrete, rroba mbrojtëse, dezinfektues, ushqim, për të gjitha që në keni nevojë, i kemi futë njerëzit në izolim”, ka thënë ai.

Haliti ka thënë se janë duke i dezinfektuar objektet në Viti, por sipas tij kanë mungesë të dezinfektuesve dhe për këtë në ndihmë po i dalin kompanitë private.

 “Gjendjen jemi t’u e mbajt me mundësi tona, po i dezinfektojmë objektet, po sigurojmë dezinfektues ku po mundem, në forma të ndryshme me mjete të komunës. Për besë janë duke na ndihmuar edhe kompanitë se e kanë pa që jemi në zor”, ka thënë ai.

Para dy ditësh, Qeveria ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat e Klinës dhe Vitisë, pasi janë identifikuar persona të prekur nga koronavirusi.  /Gazeta Sinjali/