image Kryetari i Suharekës thotë se nuk kanë pajisje mbrojtëse për koronavirus

Kosovë

Pandemia/ Kryetari i Suharekës thotë se nuk kanë pajisje mbrojtëse për koronavirus

news image

Në mesin e 63 personave të infektuar në Kosovë është edhe një grua nga Komuna e Suharekës.

Por, pavarësisht që pas këtij rasti kjo komunë ka ndërmarrë masa mbrojtëse, gjërat që po vazhdojnë të iu mungojnë janë rrobat speciale për punëtorët shëndetësore, maskat e masa të tjera mbrojtëse.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë që nuk po furnizohen mjaftueshëm nga Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht kërkesave të tyre.

“Vazhdimisht, drejtoresha e shëndetësisë, drejtori i QKMF-së vazhdimisht bëjmë kërkesa çdo ditë marrim material, por jo mjaftueshëm. Unë kërkoj që në radhë të parë mjekët të pajisen me rroba speciale që janë kundër virusit, mirëpo kemi numër të vogël, sot jam informuar që kanë ardhë disa maska rreth 50 që nuk mjaftojnë, ndërsa ne i kemi dikund rreth 180 punëtorë të shëndetësisë dhe këto nuk mjaftojnë. Ne kemi marrë edhe donacion, disa kompani ka kanë dhuru maska, mirëpo ne kemi nevojë për mjete shtesë nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai për Insajderin.

Muharremaj, në këtë intervistë për Insajderin ka thënë se duke marrë parasysh situatën kanë dezinfektuar të gjitha institucionet komunale, shkollat, stacionin e autobusëve e po ashtu edhe qendrat e fëmijëve.

Por, deklaron se të gjitha këto janë bërë prej donacioneve që kanë marrë nga kompnaitë e ndryshme.

“Të them të drejtën problem i vetëm është se këtë dezinfektimin që e kemi bërë në qytet edhe fshatra kanë qenë donacione nga kompanitë do të thotë na kanë ndihmu mjaftë shumë, kemi nevojë vetëm tek QKMF-ja dhe unë apeloj tek Ministria e Shëndetësisë sa më shumë të kemi masa mbrojtëse, të kemi rroba, të kemi pajisje mjekësore, kjo është me rëndësi për Suharekën, gjërat tjera besoj që në bashkëpunim me qytetarët kemi me ia dal”, ka deklaruar ai.