image Kryetari i Malishevës thotë se ministria i ka furnizuar me material mbrojtës vetëm për tri ditë

Kosovë

Shëndetësi/ Kryetari i Malishevës thotë se ministria i ka furnizuar me material mbrojtës vetëm për tri ditë

news image

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragib Begaj ka thënë për Gazetën Sinjali se Ministria e Shëndetësisë i ka furnizuar me material mbrojtës për ta luftuar koronavirusin vetëm për tri ditë.

Begaj ka theksuar se më shumë kanë ndihmuar donatorët sesa Qeveria e Kosovës.

“I kemi marrë disa ndihma të vogla, 100 maska dje kanë ardh, 110 veshje, mbuloja për fytyrë 40 copa, syza 10 copa, doreza 8 mijë copa, alkool 50 litra dhe dezinfektues 4 litra, këto na bëjë vetëm tri ditë. Kemi pas donacione private”, ka thënë Ragib Begaj për Gazetën Sinjali.

I pari i Malishevës më tej ka thënë se gjendja shëndetësore e të infektuarve është stabile. Sipas tij, ushqime ka mjaftueshëm.

“Një është konstatuar pozitiv, situata e qetë është, jemi aktiv, shtabi kontakton çdo ditë me familjarët e të infektuarve, gjendja stabile është. Ushqime na kanë sjell, kemi, familjet që janë të prekura kanë thënë se janë të furnizuar”.

Begaj ka bërë të ditur se Halil Kastrati ju ka ndihmuar me donacione dhe është duke vazhduar edhe në tutje.

“Nuk është alarmante gjendja për ushqime, donator 10 mijë kilogram miell, Halil Kastrati na ka ndihmua edhe është duke na ndihmuar. Ndihma private më shumë se shteti”.

Begaj ka thënë se kanë pranuar donacione edhe për mjete mbrojtëse për ta luftuar koronavirusin.

“Kemi qe na kanë sjell material 1 mijë euro, 2 mijë euro, jemi duke e menaxhuar, nuk është problem, ju kam  thënë të gjithëve se nuk do të vdes askush nga uria”, ka thënë ai.

Në Kosovë deri më tani janë të infektuar 24 persona me koronavirus. /Gazeta Sinjali/