Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka ta thënë se pallatet e ndërtuara para viteve ’90ta nuk kanë garanci në rast lëkundjesh më të forta sizmike.
Këtë deklaratë i pari i Lezhës e tha sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku u miratua bonusi i qirasë për 173 familje të tjera të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Kanalizohen nëpërmjet Ministrisë së Rindërtimit të gjitha dëmet ku bën pjesë edhe qarku i Lezhës, për vete jam partizan që të rinovohen të gjithë pallatet e vjetra pasi kanë çeduar. Konkluzioni ka qenë që edhe ato që janë të banueshme janë të degraduara pasi janë pallate të vjetra.
I kam propozuar kryeministrit në një takim që kemi pasur para 1 jave me bashkitë e prekura nga tërmeti që të bëhet një plan për rinovimin e qytetit, sepse unë nuk jap garanci dhe as ekspertët që nëse ka një tërmet me disa ballë edhe pse këto pallate janë të banueshme sot mund të rrëzohen”, tha Pjerin Ndreu.
Kujtojmë që edhe Lezha ishte zonë e prekur nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit, si pasojë e të cilit në Shqipëri vdiqën mbi 50 persona, u lënduan mbi 900 të tjerë dhe mijëra të tjerë mbetën pa kulm mbi kokë./Gazeta Sinjali/