image Kryetari i Komunës së Istogut flet për gjendjen e familjeve të izoluara

Kosovë

Pandemia/ Kryetari i Komunës së Istogut flet për gjendjen e familjeve të izoluara

news image

Dy familje nga fshati Kovragë i Istogut janë izoluar për shkak të kontakteve që kanë pasur me punëtorët e organizatës ku ka punuar 22 vjeçarja nga Klina, e cila është infektuar me koronavirus.

Gjendja në Istog është stabile dhe për fat të mirë, nuk është shënuar ende asnjë rast i infektuar me COVID-19.

Për gjendjen në Istog ka folur për Gazetën Sinjali, kryetari i komunës, Haki Rugova.

“Deri më tani në Istog nuk ka informata për raste të infektuara, por dyshime ka sepse dy familje janë izoluar. Komuna po merr masat e nevojshme. Pak është shqetësuese sepse disa nga qytetarët që duhet të qëndrojnë të izoluar, nuk janë të diciplinuar. Ne kemi bërë apel që të gjithë qytetarët, sidomos ata që vijnë nga jashtë të izolohen”, ka thënë për Gazetën Sinjali kryetari i Istogut, Haki Rugova.

Tutje, Rugova duke folur për gjendjen e QKMF-ve në Istog, ka thënë se kanë bërë kërkesë për mjete shpenzuese në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në QKMF-të e Istogut gjendja është e mirë. Ka hapësira dhe staf të mjaftueshëm. Kemi bërë këkesë për material preventiv në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po presim përgjigje. Ekipi mjekësor është i mjaftueshëm. Vetëm na duhet përkrahje materiale”, ka thënë ai.

Rugova ka bërë të ditur se po respektohet vendimi i qeverisë, për mbylljen e bizneseve.

“Njerëzit po lëvizin, mirëpo bizneset nuk po punojnë, po e respektojnë vendimin e qeverisë. Po punojnë vetëm marketet me gjëra ushqimore dhe barnatoret. Kam marrë vendim e kam reduktuar stafin mjekësor, vetëm personat që duhet patjetër do të punojnë, edhe ata me orare”, ka deklaruar i pari i Istogut.

Ndryshe, që nga dita e premtë e deri sot, në Kosovë janë konfirmuar 13 raste të personave të prekur me koronavirus./GazetaSinjali/