image Kryetari i Gjykatës Ekonomike në Malin e Zi, arrestohet nën dyshimin se ka kryer vepra kriminale

Rajon

Kryetari i Gjykatës Ekonomike në Malin e Zi, arrestohet nën dyshimin se ka kryer vepra kriminale

news image

Në Mal të Zi, Kryetari i Gjykatës Ekonomike Blazho Jovaniq dhe disa persona të tjerë u arrestuan të hënën me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Kryeministri Dritan Abazoviq përshëndeti aksionin e Prokurorisë Speciale të Shtetit duke thënë se ai paraqet përgjigjen më e mirë ndaj kritikave për përpjekje të pamjaftueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Filip Axhiq e përshëndeti aksionin e Drejtorisë së Policisë, duke thënë se është treguesi më i mirë i përkushtimit dhe luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është vendosur si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së re.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, shoqëria civile dhe disa media malazeze , për një kohë të gjatë, kanë tërhequr vëmendjen se “në Mal të Zi ekziston e ashtuquajtura “mafia e falimentimit”, e cila përbëhet nga një rrjet gjyqtarësh të korruptuar dhe administratorësh të falimentimit …”.

“Ata kanë përvetësuar prona shtetërore, me çmime të volitshme, duke fituar pasuri të mëdha në dëm të Malit të Zi dhe qytetarëve të tij, si dhe punëtorëve të ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, të cilat u shkatërruan në këtë mënyrë dhe u kthyen në prona private të personave të afërt me regjimin e kaluar,” thuhet në reagimin e tyre.

Një rol të veçantë në këto falimentime, sipas disa analistëve ekonomike dhe gazetarëve, pati kryetari i Gjykatës Ekonomike Blazho Jovaniq.

“Ai do të mbahet mend si më përgjegjësi për shpërndarjen e mundshme diskriminuese të rasteve të falimentimit në gjykatë, ku në vetëm një vit kalendarik, më shumë se gjysma e të besuarve të licencuar nuk u punësuan kurrë . Jovaniq reduktoi numrin e këshillave tregtare vendimmarrëse gjatë mandatit të tij dhe kështu kishte kontroll të plotë mbi kundërshtimet në të gjitha procedurat përmbarimore,” thanë ata.

Arrestimi i sotëm pason atë të 18 prillit të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, nën dyshimet për krijim të organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm.

Medenica është ndaluar në aeroportin e Podgoricës nën dyshimet për krijim të organizatës kriminale dhe ndikim të paligjshëm.

Arrestimi i saj erdhi pasi mediat publikuan transkriptet e mesazheve të shkëmbyera mes djalit të saj, Milosh Medenica dhe oficerit të policisë Darko Laloviq, në të cilat ata organizonin blerjen e kokainës dhe cigareve kontrabandë në portin e Tivarit. Në transkriptet e bisedave në një aplikacion të koduar të mesazheve, Milosh Medenica pretendonte se nëna e tij ishte në dijeni të biznesit të tyre të paligjshëm dhe se ajo do t’i mbronte./voa

/GazetaSinjali/