Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka marrë pjesë në takimin e fundit të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.
Gjatë këtij takimi u vendosën masa të reja, një ndër to ishte edhe zgjatja e orës policore për 2 orë.
Mirëpo një gjë e tillë është kundërshtuar nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Sot, drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi i tha Sinjalit se po presin një takim me Qeverinë para datës 4 shkurt, për heqjen e orës policore.
Ibrahimi tha se ora policore nuk po ka efekt në uljen e rasteve me COVID-19 në Kosovë.
Ai ka kërkuar që AKK të rikthehet në Komitetin për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.
“Ne po presim për një takim me Ministrinë e Shëndetësisë para 4 shkurtit që të flasim për heqjen e orë policore sepse është parë që nuk po ka efekt. Ne kërkojmë që AKK të kthehet në Komitetin për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19“, tha Ibrahimi.
Aktualisht në Kosovë janë afër 34 mijë raste aktive me koronavirus, ndërsa është rritur edhe numri i qytetarëve që po vaksinohen.