image Kryesuesi i bordit të ZRrE-së arsyeton propozimin për shtrenjtimin e rrymës: Ishim të obliguar

Kosovë

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së arsyeton propozimin për shtrenjtimin e rrymës: Ishim të obliguar

news image

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës ka shkaktuar shumë reagime e debate këto ditë.

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, po raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për ta arsyetuar propozimin e këtij institucioni. Ai tha se e di se çmimet e energjisë elektrike janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve.

Fejzullahu ka theksuar faktin se kriza energjetike e ka përfshirë gjithë Evropën, duke shtuar se ka qenë e domosdoshme që ZRrE-ja ta shqyrtojë në mënyrë të jashtëzakonshme ndryshimin e tarifave.

Duke përmendur çmimet e larta të importit të cilat i ka quajtura të pa përballuara, Fejzullahu ka thënë se situata është bërë e rëndë. Ai e ka theksuar edhe prishjen në termocentralin Kosova B në dhjetor, i cili i ka shkaktuar miliona euro shpenzime për tu importuar.

“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut”, ka thënë ai. “Prandaj ZRrE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm.”

Fejzullahu tha se në Kosovë është menduar se mund të prodhojmë vetë rrymë për nevojat tona, por që kjo s’është e vërtetë viteve të fundit.

“Ne gjithë mendojmë që prodhojmë energji për nevojat tona, por në realitet – edhe pse deri tani kemi qenë shumë pak të varur nga importi – që disa vite të fundit, kjo varësi nga importi është rritur”, tha ai.

Si njërën nga arsyet për varësinë nga importi i energjisë elektrike, Fejzullahu e ka përmendur ndryshimin e strukturës tarifore në vitin 2017.

Ai tha se ka kërkuar që të mbështeten disa kategori që nuk mund ta paguajnë rrymën.

“Ne kemi qenë të zëshëm. Kam kërkuar edhe vitet e kaluara që të mbështeten konsumatorët që janë rastet sociale. Nuk janë vetëm rastet sociale që duhet të mbështeten, por edhe konsumatorët e cenueshëm që nuk e përballojnë faturën e energjisë elektrike”, tha ai./GazetaSinjali/