image Kryeshefja e IPK-së që u shkarkua nga Xhelal Sveçla rikthehet në punë si hetuese

Siguri

Kryeshefja e IPK-së që u shkarkua nga Xhelal Sveçla rikthehet në punë si hetuese

news image

Ish-kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi, është kthyer në punë si hetuese disa muaj pasi e shkarkoi ish-ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Rikthimin i saj në IPK është bërë për shkak të kontratës së përhershme. Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali, zyra për informim në IPK.

“Znj. Kelmendi ka qenë punonjëse e IPK-së edhe para se të zgjidhet Kryeshefe Ekzekutive. Ajo si dhe të gjithë punonjësit operativë të IPK-së, posedojnë kontrata të përhershme të punës me IPK-në. Edhe pse është zgjedhur Kryeshefe e IPK-së në vitin 2018, ajo ka vazhduar të jetë në marrëdhënie punë me IPK-në”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje, thuhet se Kelmendit i ishte shkëputur marrëdhënia e punës vetëm për pozitën e kryeshefes së IPK-së, pasi që nuk ka pasur ndonjë vendim që të anulohet kontrata e saj.

“Në bazë të shkresave që ekzistojnë në dosje, e njëjta është shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv me vendim të UD ministrit, ndërkaq në dosjen e saj nuk ka ndonjë vendim në bazë të të cilit anulohet kontrata e saj e përhershme e punës.”

Në përgjigjet e IPK-së thuhet po ashtu se kanë marrë edhe një përgjigje nga zyra ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me çështjen e sistemimit të Kelmendit si hetuese në IPK.

“Bazuar në faktin që kontrata e saj është valide dhe nuk është anuluar në një nga format që parasheh Rregullorja, (ndërkaq vendimi Ministrit për shkarkim i referohet vetëm pozitës së kryeshefit),  e njëjta është sistemuar në kuadër të strukturës operative  si hetuese, sipas përshkrimit të pozitës që ka në kontratën e përhershme në mes saj dhe IPK-së. Nuk ka ndonjë vendim për kthim të saj në punë, pasi nuk ka pasur një vendim paraprak për shkëputje të kontratës, por është zbatuar kontratë e përhershme e punës e cila është në fuqi”, ka sqaruar IPK.

Kelmendi ishte shkarkuar në prill të këtij viti, ndërsa pati deklaruar se ky vendim ka qenë i pabazuar dhe i paligjshëm.

/GazetaSinjali/