image Kryeshefi i Telekomit e akuzon ministrin Lluka për neglizhencë dhe mospërkrahje: Po e rrezikon sigurinë kombëtare

Kosovë

Deklarata/ Kryeshefi i Telekomit e akuzon ministrin Lluka për neglizhencë dhe mospërkrahje: Po e rrezikon sigurinë kombëtare

news image

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi ka shkruar se ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka është duke e rrezikuar sigurinë nacionale.

Istrefi ka shkruar në Facebook se viti që po e lëmë pas e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta Telekomin, kjo si rezultat i pamundësisë financiare.

“Viti 2019 Telekomin e Kosovës e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta, qoftë në aspektin e operimeve si rezultat i pamundësisë financiare për t’i mirëmbajtur dhe zhvilluar platformat e veta për ofrimin e shërbimeve më të mira për konsumatorët; qoftë nga mungesa e përkrahjes së munguar nga Aksionari, konkretisht nga MZHE, si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës.

Është e kuptueshme se të gjithë kompanitë telekomunikuese në botë viteve të fundit janë ballafaquar me rënie të të hyrave si pasojë e shumë faktorëve, ndërsa kësaj rënie nuk i ka shpëtuar as Telekomi i Kosovës. Duke marrë parasysh këtë trend, Telekomi i Kosovës, problemet, sfidat, telashet financiare i ka adresuar në mënyrë zyrtare vazhdimisht tek ministri i MZHE-së z. Valdrin Lluka”, ka thënë ai.

Mirëpo, Istrefi po shton se Lluka e ka dëmtuar imazhin e Telekomit me deklaratat e tij për falimentim të ndërmarrjes.

“Ministrit Lluka çdo herë dhe në çdo takim të mundshëm i janë rikujtuar problemet dhe pasojat e mundshme nga neglizhenca dhe mospërkrahja e duhur për kompaninë tonë, në kohën kur kemi pasur nevojë më së shumti për bashkëpunim reciprok dhe adresim të qartë të vendimmarrjeve në të dobi të stabilitetit teknik, financiar dhe social për Telekomin e Kosovës.

Në vend të kësaj përkrahje të munguar, ministri Lluka për arsye që vetëm ai i dinë, në shumë raste e ka dëmtuar imazhin e Telekomit të Kosovës me deklaratat e tij për falimentim të ndërmarrjes, deklarime këto që nuk do të duhej të përfaqësonin qëndrimin parimor dhe logjik të Aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Kosovës”, thotë Istrefi, teksa shton se prapavija e këtyre deklarimeve për të mbetet e panjohur dhe e pasqaruar, derisa, ka shkruar se nuk dihet as pse nuk është bërë ekzekutimi i mjeteve që i ka ndarë qeveria e Kosoëvs.

“Deklarimet e ministrit Lluka për qëllime e tij tendencioze, jo vetëm që kanë stagnuar operimet normale të kompanisë sonë, por me veprimet e tilla po rrezikon edhe Sigurinë Nacionale duke vështirësuar operimin edhe institucioneve të sigurisë kombëtare, siç janë Policia e Kosovës, AKI, KFOR-i, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Emergjencës, Kulla e Aeroportit”, ka thënë ai.

https://www.facebook.com/bedri.istrefi.16/posts/188237205663432