Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit vetëm ka shtuar përplasjet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial. Konkursi nga KPK u shpall ditë më përpara përderisa ministria në anën tjetër ka finalizuar ndryshimet në ligjin për Këshillin Prokurorial. Edhe pse në ligj nuk parashihet që kryeprokurori të zgjidhet me këto ndryshime, RTK ka mësuar se një gjë të tillë pritet ta kërkojnë deputetët e Kuvendit.
RTK raportoi se pasi që ligji të shkojë në Kuvend deputetët do të synojnë shtimin e një amendamenti me të cilin mundësojnë që zgjedhja e kryeprokurorit të bëhet me ligjin e ri që do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
Anëtarë të Komisioni për Legjislacion në Kuvend nuk e kanë konfirmuar e as mohuar këtë, duke mos dashur të flasin pa e pranuar ligjin.
Sipas ndryshimeve ligjore, nga 13 anëtarë sa kishte KPK do të mbesin shtatë. Katër anëtarë, prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe 3 të tjerë jo prokurorë që do të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.
Ndryshimet parashohin që anëtarët aktualë të zgjedhur nga Prokuroria Speciale dhe ajo e Apelit ta vazhdojnë mandatin deri në fund. Tre anëtarët aktualë të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi të mbajnë mandatin deri në votimin e anëtarëve të rinj në legjislativ, kurse nga shtatë anëtarë të prokurorive themelore me short do të zgjidhet një i cili do të vazhdojë të mbetet në Këshillin Prokurorial.
Si rezultat i gjithë kësaj do të ndryshonte edhe mënyra e zgjedhjes së kryeprokurorit. Në IKD vlerësojnë se Ministria është vonuar me ndryshimet duke e bërë të pamundur zgjedhjen e kryeprokurorit me ligjin e ri.