image Kryeprokurori i Gjilanit: Pronarët që nuk i zbatojnë masat e qeverisë do të arrestohen

Kosovë

Kryeprokurori i Gjilanit: Pronarët që nuk i zbatojnë masat e qeverisë do të arrestohen

news image

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka apeluar që të respektohen masat preventive të qeverisë për mospërhapjen e koronavirusit, në të kundërtën paralajmëron masa të ashpra deri në arrestim, shkruan Gazeta Sinjali.

Kryeprokurori Maloku ka kërkuar që lokalet e ndryshme hoteliere, restorante dhe të gjitha vendet që rrezikojnë përhapjen e pandemisë COVID – 19 të qëndrojnë të mbyllura.

“Do të merren masa ligjore të ashpra deri në arrestim, të të gjithë atyre pronarëve që shkelin këto masa mbrojtëse të parapara me Vendimet e Qeverisë, që do të rrezikonin shëndetin e qytetarëve të paraparë edhe me dispozita ligjore të Kodit Penal të Kosovës”, ka paralajmëruar Maloku.

Gjithashtu, kryeprokurori ka kërkuar nga qytetarët e kthyer nga vendet e ndryshme jashtë Kosovës që të respektojnë masën e karantinës për 14 ditë, me qëllim parandalimi të përhapjes së virusit korona.

Tutje, Maloku ka thënë se të gjitha institucionet e drejtësisë në vend do të mbështesin çdo masë rekomandimi në këtë kohë pandemie.

“Do jemi afër çdo qytetari të vendit tonë duke besuar shumë se me mbështetjen dhe përkrahjen e tyre, pa panik e duke marrë masa mbrojtëse, do e kalojmë pa asnjë mëdyshje edhe këtë sfide për ne dhe gjithë njerëzimin”, thuhet në apelin e kryeprokurorit Jetish Maloku./Gazeta Sinjali/