image Kryeministrja e Finlandës: Evropa nuk është mjaftueshëm e fuqishme, do të ishte në telashe pa ShBA

Evropë

Kryeministrja e Finlandës: Evropa nuk është mjaftueshëm e fuqishme, do të ishte në telashe pa ShBA

news image

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, ka thënë se Evropa nuk është mjaftueshëm e fuqishme për t’i bërë ballë e vetme pushtimit rus të Ukrainës dhe se kontinenti është detyruar që të mbështetet në përkrahjen e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një vizite në Australi, udhëheqësja e shtetit që ka aplikuar për anëtarësim në NATO, tha se aftësitë mbrojtëse të Evropës duhet të fuqizohen.

“Më duhet të jem brutalisht e sinqertë me ju, Evropa nuk është mjaftueshëm e fuqishme tash për tash. Ne do të ishim në telashe pa Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

“Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar shumë armë, shumë ndihmë financiare, shumë ndihmë humanitare Ukrainës dhe Evropa nuk është ende mjaftueshëm e fuqishme”, shtoi kryeministrja finlandeze.

ShBA-ja është bindshëm ofruesja më e madhe e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Që nga fillimi i luftës, Shtetet e Bashkuara janë zotuar për ndarjen e ndihmave me vlerë prej 18,6 miliardë dollarësh, sipas një hulumtimi britanik.

Dhuruesi i dytë më i madh i ndihmave është Bashkimi Evropian, sipas Institutit “Kiel” për Ekonomi Botërore, por këto ndihma janë dukshëm më të vogla se ato të ShBA-së.

Kur ishte në pushtet, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht i kritikonte shtetet evropiane të NATO-s se nuk po shpenzonin mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes.

/GazetaSinjali/