Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka paralajmëruar që Anglia duhet të futet e përgatitur për stinën e dimrit për një valë të re të pandemisë.
Kryeminisri britanik pritet të prezantojë një plan për ta shmangur mbylljen e sërishme të shkollave dhe kafeneve.
Respektimi i distancës sociale ose përdorimi i maskave, këto masa pritet të përfshihen në plan dhe do të hynin në fuqi vetëm në rast të rritjes së numrit të rasteve dhe hospitalizimeve në atë masë që nuk e përballon sistemi shëndetësor.
Të marten pritet që Johnson ta publikojë planin e tij për shmangien e izolimit të plotë, përfshirë ofrimin e dozës së tretë të vaksinës për grupe të caktuara të popullatës dhe fushatën më të madhe ndonjëherë kundër gripit. Të dyja proceset e vaksinimit do të kryhen paralelisht, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Sinjali.
Burimet qeveritare thanë që besojnë se doza e tretë e vaksinës do të rekomandohet vetëm për të moshuarit dhe personat e ndjeshëm në fazën e parë, por shtuan se stafi shëndetësor do të jetë i gatshëm, nëse këshilltarët e miratojnë dozën e tretë edhe për grupmosha tjera.
Johnson pritet të njoftojë edhe për fillimin e përdorimit të të ashtuquajturave pasaporta të Covid-it, të cilat do të shërbejnë për lejimin e hyrjes në vende me shumë njerëz si klubet e natës.
Për më tepër, zyrtarët e lartë shëndetësorë të Britanisë pritet që javën e ardhshme ta japin dritën e gjelbër për vaksinimin e fëmijëve të moshës 12 deri 15-vjeçare. /GazetaSinjali/