Zyra për Media e kryeministrisë ka njoftuar për takimin që kryeminsitri, Albin Kurti ka pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-t. Siç njofton ZKM në këtë takim është folur për dialogun me Serbinë, përkatësisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Implementimit të dakorduara këto në Bruksel dhe Ohër.
Kurti i shoqëruar nga zëvëndësi i tij, Besnik Bislimi kanë kërkuar që këto dy marrëveshje të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe plotësisht.
Kurti e Bislimi gjithashtu kanë kërkuar që BE-ja të mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes.
Në komunikatë kanë treguar edhe për atë se çfarë do të flitet në takimin e radhës të zv.kryeministrit Besnik Bislimi me Petar Petkoviqin.
“Procesi i dialogut do të vijojë me takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve që pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.