Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se qeveria e udhëhequr nga ai do të përmirësojë kushtet socio-ekonomike, përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit egjiptian, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë premtim Kurti e bëri në konferencën me temën “Drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse me mundësi të barabarta”, organizuar për nder të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim dhe koordinim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fridon Lala.
Duke uruar komunitetin egjiptian, Kurti tha se ky komunitet ndër vite jeton në këto troje dhe së bashku me popullsinë shumicë ndau fatin e mirë e të keq edhe për shkak të afërsisë kulturore e gjuhësore.
“Vetëm gjatë viteve ’90, edhe nxënësit e komunitetit egjiptian ishin përzënë nga shkollat, shumë punëtorë ishin përjashtuar nga puna për shkak të solidarizimit në grevat e organizuara nga sindikatat, ndërsa gjatë viteve të luftës, ’98-’99, kishin viktima civile, por edhe pjesëtarë të UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Ai rikujtoi se organizimi politik i komunitetit egjiptian gjatë dy dekadave të fundit, ishte kontributdhënës për shtetësinë e Kosovës dhe “pa dyshim se komuniteti si në të kaluarën edhe sot për Kosovën, kultivon dashurinë për atdheun e tyre”.
Kryeministri po ashtu ka thënë se gjatë këtij mandati do ta zbatojë Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili parasheh që 10 për qind e të punësuarve në sektorin publik të jenë pjesëtarë të komuniteteve.
“Ne synojmë që ta zbatojmë në plotni Ligjin nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, me të cilin përcaktohet që në institucionet publike qendrore, minimum 10% e vendeve të punës në të gjitha kategoritë e zyrtarëve publikë duhet të plotësohen nga pjesëtarët e komuniteteve”, tha ai.
Në konferencën ku u diskutuan temat e gjithëpërfshirjes së komunitetit egjiptian në punësim, edukim, trajtim të barabartë, jo diskriminim, të pranishëm ishin edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, deputetja, Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesja nga shoqëria civile, Diana Shaka dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe nga komuniteti egjiptian./Gazeta Sinjali/