Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ankesë nga qytetarët serbë për vendimin për targat.
“Nuk kam marrë letra nga qytetarët serbë që janë ankuar për vendimin tonë për targat. Pra, vendimin tonë për targat ne e kemi marrë në fund të qershorit, e kemi shtyrë afatin edhe për një muaj dhe tash kemi bërë një mënyrë, për bindjen time, shumë gjeneroze të diversifikimit në qasje dhe të sekuestrimit në implementim”, ka thënë Kurti.
Ai ritheksoi se tri javët e para të nëntorit ata që nuk i ndërrojnë targat në RKS do të qortohen e pastaj do të vazhdohet me gjoba për dy muaj, ndërkaq në fund do të vazhdohet me targat e përkohshme RKS.
Sipas tij, gjithçka është kuptuar saktë dhe qartë nga qytetarët serbë.
Ai shtoi se deri në mëngjesin e së shtunës janë dhënë 843 vërejtje në vendkalimet kufitare dhe në brendi të Mitrovicës së Veriut.
“Deri në mëngjesin e djeshëm i kemi ndarë 843 vërejtje apo qortime qoftë në vendkalimet kufitare apo në brendi, në veri të Ibrit, nuk ka pasur asnjë ankesë dhe asnjë incident”, tha tutje ai.