image Kryeministri Kurti kujton të gjitha masakrat e muajit prill, premton drejtësi

Sociale

Kryeministri Kurti kujton të gjitha masakrat e muajit prill, premton drejtësi

news image

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me drejtues tjerë shtetërorë, sot gjatë ditës bëri homazhe për të rënët në Prishtinë. Kurti, ka thënë se muaji prill, kujtohet si muaj i masakrave dhe kujtimit.

“Prilli – muaji i masakrave dhe i kujtimit. Sot në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, kur shënojmë edhe Betejën e Marecit, nderuam gjithë të rënët në Komunën e Prishtinës, bashkë me Presidenten e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit. Prilli vazhdon të jetë muaj i përkujtimeve të masakrave, krimeve e gjenocidit që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit. Këto masakra janë vazhdimësia e tragjedisë së përjetuar nga populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës. Janë gjaku ynë që nuk falet. Dhimbja që nuk ndalet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti thotë tutje se këto ditë, që nga fundjava e kaluar, Kosova kujtoi Kaçanikun legjendar, ku ushtarë të UÇK-së në mbrojtje të popullatës civile u përballën me forcat ushtarake e policore të Serbisë në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re.

“Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku u zgjua i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët sulmonin popullatën civile, e garantonin nga të gjitha anët. Në mbrojtje të popullatës civile në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, ranë dëshmorë 28 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë datë, nderojmë edhe 32 viktima të luftës të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re”, thotë Kurti.

Këtë javë, thotë tutje kryeministri, “gjithashtu përkujtuam Lugishtën e Hasit”.

“Lugishta është ndër fshatrat më të dëmtuara gjatë luftës në vend. Në pranverë të vitit 1999, forcat serbe vranë më shumë se 50 banorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, derisa pjesën tjetër e largoi dhunshëm. Lugishta me 12 prill kujtoi 8 dëshmorët dhe 47 martirët e vet. Lugishta ishte gjithashtu rrugë, nëpër të cilën kaluan shumë ushtarë të UÇK-së për të bartë armatimin nga Shqipëria në Kosovë”, shkroi Kurti.

Kurti përmes postimit në Facebook, kujtoi edhe masakrat në Mitrovicë.

“Përkujtuam edhe masakrën e rrugës së Kovaçëve në Mitrovicë të 14 prillit, e cila është njëra ndër masakrat më të mëdha në komunën e Mitrovicës. Në këtë masakër, nga kriminelët serbë janë të vrarë 31 shqiptarë”, shkroi Kurti.

Me 15 prill, ka kujtuar Kurti, “përkujtuam masakrën në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, si dhe masakrën e Sllovisë në Lipjan”.

U bënë 22 vjet që kur u vranë 23 civilë të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ndërkaq një person mbetet akoma i pagjetur nga kjo lagje. Ndërsa Sllovia përkujtoi masakrën e dhunës serbe që vrau 45 civilë shqiptarë dhe plagosi shumë të tjerë. Afër 100 shtëpi shqiptare u dogjën në Sllovi dhe pas dëbimit të banorëve, ushtria serbe shkatërroi gjithë çka pati përpara”, shkroi tutje ai.

Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar edhe masakrën që u përkujtua dje në Poklek e Çikatovë.

“Ndërkaq dje u bënë 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe nga masakra në Çikatovë të Vjetër ku ushtria serbe ka vrarë dhe masakruar 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Në këto masakra u vranë foshnje e pleq, pa mëshirë. Në përpjekje të asgjësimit të gjurmëve të krimit, forcat serbe i dogjën kufomat e viktimave të Masakrës së Poklekut, ndërsa kufomat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i morën dhe i zhdukën duke i dërguar në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi”, shkroi Kurti.

Ai thotë se “përkujtimet sot i vazhdojmë me masakrën në Dyz të Podujevës, Ribar të Vogël të Lipjanit dhe Marec të Prishtinës. Në Dyz u vranë 70 civilë të pafajshëm. Forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 19 civilë nga fshati Ribar i Vogël dhe 6 civilë nga fshati Blinajë (Vershevcë)”.

Gjithë këto jetë të humbura, janë çmimi i paguar për lirinë e pavarësinë e që duhet t’i gëzojnë të gjithë pa dallim. Ne sot përkulemi para familjeve dhe dhimbjes që ato kanë, me premtimin se do të bëjmë krejt çka mundemi e dijmë për të adresuar nevojat e tyre”, thotë ai. /Gazeta Sinjali/