Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe 44 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod, në Kroaci, në të cilin ka qenë i përfshirë një autobus nga Kosova, raporton Gazeta Sinjali.
Ndërkaq të lënduarit i ka vizituar edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, së bashku me ministrin e Jashtëm, Gordan Grliq Radman dhe ministrin e Brendshëm, Davor Bozinoviq.
Atje, atyre iu bashkua edhe Ministri i Shëndetësisë, Vilija Beros, i cili ka qenë në Slavonski Brod që nga mëngjesi.
Pas kësaj vizite kryeministri kroat ka dhënë një deklaratë për media ku ka thënë se nuk kanë pasur një aksident të tillë në shumë vite, por që sipas tij të bëjnë gjithçka që duhet.
“Dhjetë persona humbën jetën në aksidentin që ndodhi në autostradën afër Slavonski Brod rreth orës 6:20. Falënderoj drejtorin Samardzic, falënderoj ambasadorin e Kosovës, deputetët Prljaskaj, ministrat Berosh, Bozhinoviq, të gjithë mjekët dhe infermierët të cilët bëri çdo përpjekje që sonte të presim kryeministrin e Kosovës Kurti, ministrat e tij.
Qeveria dhe shërbimet kroate do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar të plagosurit. Vetëm një nga të plagosurit është në Zagreb, ata qëndruan në spitalin në Slavonski Brod, dhe ata të cilët nuk u plagosën janë në konvikt. Me të vërtetë ishte një aksident shumë i rëndë. Ne nuk kemi pasur një aksident të tillë për shumë vite.
Ne do të bëjmë gjithçka, do të shohim me kryeministrin (Kurti). Ne do të ndihmojmë kudo që të mundemi, për shpenzimet këtu, kthimin në Kosovë. Ne do të sigurohemi që të gjithë të ndihen rehat këtu,” tha Plenkoviq.