Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Shenaj Shalën, Këshilltare të Jashtme Politike, si dhe përgjegjëse e protokollit në Kabinetin e tij.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, Shala është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur. Ajo ka punuar për kompani dhe organizata të rëndësishme botërore, në mesin e tyre edhe në OKB.
“Shenaj Shala është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur. Ajo mbaroi studimet master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD)”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Shala deri më tani është gruaja e vetme e emëruar në kabinetin e Kurtit.
“Ajo mbaroi studimet master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD). Mes viteve 1999-2013, Shala punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Nga viti 2013-2015 znj. Shala punoi për “Shell Oil & Petroleum” si Koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme. Në qershor të vitit 2015 ajo u emërua Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e ISPD-së, kurse në vitin 2018 Shala mori titullin e njërës prej 15 trajnereve globale për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezantimit në “International Pitch School for IDACB” (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain). Shenaj Shala vazhdon të mentorojë dhe këshillojë ndërmarrësit e rinj në Kosovë duke u fokusuar në aftësitë e buta dhe temat si komunikimi efektiv, të folurit në publik, inteligjenca emocionale dhe fjalimet motivuese; si dhe është trajnere personale e shumë figurave publike në Kosovë përmes këshillimit për paraqitjet mediale, imazhin personal, gjuhën e trupit dhe komunikimin jo verbal”, thuhet në njoftim. /Gazeta Sinjali/