Derisa në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet për herë të parë Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, kryeministri Albin Kurti theksoi se kanë një projeksion mjaft pozitiv për vitin e ardhshëm fiskal.
“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro”, tha Kurti.
Më tej kreu i Qeverisë njoftoi se të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro.
“Kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 493 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime, 1 miliard e 98 milionë euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se sa i përket projekteve specifike, ato reflektojnë programin e tyre qeverisës.
Derisa kreu i ekzekutivit, tha se viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë për sa u përket të hyrave dhe rritjes ekonomike.
Ai më tej shtoi se ky vit, me gjithë sfidat dhe krizat globale, vazhdoi trendin pozitiv dhe mundësoi të ketë një konsolidim të financave publike.
“Sipas vlerësimeve të Fondit Ndërkombëtar Monetar, Kosova është prej vendeve të para në mesin e ekonomive në zhvillim në Evropë që ka arritur një sukses të tillë e që është referencë e vet FMN-së për shtetet tjera sa i përket konsolidimit të financave publike”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi më tej se kjo i vë në pozitë më të favorshme për sfidat që mund të presin vendin tonë vitin tjetër.