image Kryediplomati kroat sot në Kosovë/ Takohet me Osmanin, Kurtin dhe Gërvallën

Politikë

Kryediplomati kroat sot në Kosovë/ Takohet me Osmanin, Kurtin dhe Gërvallën

news image

Sot në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.

Ministri kroat do të pritet nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla me të cilën do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Ndërsa në ora 10:00, shefi i diplomacisë kroate do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani.

Ai do të takohet edhe me kryekuvendarin Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi.

Sipas ministrisë që drejtohet nga ai, temat e diskutimit janë mbështetja e Kroacisë për Kosovën në rrugën evropiane, ndihma konkrete për Kroacinë përmes projekteve të binjakëzimit, stabiliteti dhe siguria e rajonit, rritja e kontigjentit kroat në KFOR, mbrojtja e diasporës më të vjetër në Kosovë dhe dialogu në Kosovë – Serbi.

Ndërkaq, nuk do të flitet për temën e shumëpërfolur rreth asaj se a ka ofruar Kroacia garanci për lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga.

Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj ditë më parë demantoi raportimet se kinse ky vend ka ofruar garanci për lirimin e Thaçit.

Ishte ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysen Berisha, i cili pati deklaruar se pas Sllovenisë e Austrisë, edhe Kroacia ofron garanci për të gjykuarit e Hagës, duke theksuar se presidenti kroat Zoran Milanoviq ka ofruar që të jetë garantues te Gjykata Speciale për lirimin e presidentit Thaçi dhe të tjerëve që të mbrohen në liri. /Gazeta Sinjali/