Shoqëria civile ka ngritur si shqetësuese çështjen e konsumimit të duhanit brenda burgjeve, duke kërkuar nga SHKK-ja të bëhet një kategorizim mes konsumuesve dhe jo konsumuesve të duhanit. Në Shërbimin Korrektues thonë se ligji po respektohet brenda qendrave korrektuese.
Ligji kundër duhanit sidomos në këtë vit ka filluar të respektohet me të madhe në Kosovë, dhe ashpërsia e gjobitjeve ka qenë evidente.
Por në një segment duket se nuk është respektuar siç duket. Bëhet fjalë për burgjet e Kosovës.
Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese ka ngritur alarmin se nuk po mbrohet shëndeti i jo joduhanpirësve nëpër qendra korrektuese.
Për këtë janë të vetëdijshëm edhe monitoruesit e burgjeve, që i kanë rekomandimet e tyre në mënyrë që mos të shkelen të drejtat e të dyja palëve.
“Një zgjidhej të themi më e pranueshme më e menaxhueshme do të ishte, dhe më e lehtë për SHKK do të ishte që personat që janë në vuajtje të dënimit, të ndaheshin, të bëhet një rikategorizim, ose në fillim, të merret parasysh edhe pjesa nëse janë duhanpirës ose jo“, ka deklaruar Valentina Demolli KMDLNJ.
Por në pyetjet e televizionit nga Shërbimi Korrektues mohojnë se një gjë e tillë po ndodhë në hapësirat ku qëndrojnë të privuarit nga liria.
“Në institucionet korrektuese zbatohen dispozitat e ligjit për kontrollin e duhanit, si dhe udhëzimit administrativ nr. 02/2022 kushtet në hapësirat e lejuar për pirjen e duhanit. Sipas këtij udhëzimi institucionet korrektuese kanë nxjerrë vendime të veçanta për caktimin e hapësirave të veçanta për pirjen e duhanit, kanë bërë ndarjen e dhomave për duhanpirësit dhe joduhanpirësit. Kjo respektohet në masë të madhe përjashtimisht në rastet kur rrethanat e sigurisë imponojnë qëndrimin e duhanpirësve me joduhanpirësit”, ka thënë Florent Gashi Zëdhënës i SHKK-së.
Në komunikatën e tyre Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese ngreh sidomos shqetësimin mbi statistika që përfshijnë një rritje të rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit të mushkërive, nga 20% deri në 30%, në mesin e jo-duhanpirësve. /Dukagjini/