image Aksioni i përbashkët me autoritetet në Kosovë, SPAK: Arrestohen 31 policë në Morinë

Shqipëri

Aksioni i përbashkët me autoritetet në Kosovë, SPAK: Arrestohen 31 policë në Morinë

news image

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri po zhvillon aksion në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër krimit dhe korrupsionit në pikën kufitare në Vërmicë.

SPAK ka njoftuar se gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës.

“Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Pas një hetimi objektiv dhe të gjithëanshëm, me kërkesë  të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  parashikuar nga neni 248, 259, 25  dhe 245/1 të Kodit Penal. Masat e sigurimit personal janë:

‶Arrest në burg‶ për 17 persona (punonjës policie)

‶Arrest në shtëpi‶, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie)

‶Pezullim nga detyra‶, 3 persona (punonjës policie)

Sot me datë 08.04.2022, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentin e Policisë Kufitare, kanë ekzekutuar masat e sigurimit personal caktuar nga ana e gjykatës.”

/GazetaSinjali/