Mbrëmjen e djeshme, Klina u trondit nga një ngjarje që ndodhi në fshatin Pataqan. Pa shenja jete, aty mbeti Mark Ademi, pas të shtënave me armë zjarri, e si i dyshuar kryesor, Sinjali mëson se është Anton Ndrecaj.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë njoftuar se Ademi e Ndrecaj janë kushërinj mes vete dhe se gjithçka ndodhi pas një fjalosje që kishin vëllezërit e të dy palëve për motive ende të panjohura.
Policia e Kosovës ka marrë informatën rreth orës 18:20, ndërsa pas vrasjes janë arrestuar tre persona – Anton Ndrecaj dhe dy familjarë të tij. Zyrtarët policorë kanë zhvilluar bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku ka gjetur dy snajperë, një pushkë gjuetie dhe një armë.
Kur u njoftua Policia për rastin
Një patrullë policore kishte marrë informacionin dje rreth orës 16:40 se po ndodhë një rrahje në atë pjesë dhe ishte nisur për në vendin e ngjarjes. Gjatë kësaj periudhe situata ishte tensionuar në vendin ku veçse kishte ndodhur krimi. Sinjali mëson se Policia ishte rrugës për të intervenuar, ka hasur në njërin nga të dyshuarit, Ndue Ndrecaj, i cili e ka ndalur Policinë dhe iu ka thënë se është sulmuar nga vëllezërit Ademi. Kërkimet për t’i kapur personat e përfshirë në rast kishin nisur menjëherë, kurse i dyshuari që e njoftoi Policinë për sulmin dha deklaratë në stacion.
Derisa i njëjti është intervistuar, fillimisht në cilësinë e viktimës të rrahjes, Policisë në ato momente i shkoi informacioni tjetër. Tashmë bëhej fjalë për plagosje me armë zjarri të viktimës Mark Ademi.
Me të marrë informacionin, viktima fillimisht u dërgua në QKMF-në e Klinës, por më pas, nën përcjelljen e policisë, u transportua në Spitalin rajonal të Pejës, ku u konstatua se fatkeqësisht i njëjti kishte ndërruar jetë.
40-vjeçari vdiq, ndërkohë që të gjitha njësitet policore dolën në vendin ku ndodhi krimi, për të marrë masat e nevojshme, me ç’rast u prangosën tre të dyshuar. Anton Ndrecaj, Ndue Ndrecaj dhe një familjar i tyre përfunduan në prangat e Policisë për vrasjen e Mark Ademit.
Ndaj Anton Ndrecajt, prokurorja ka lëshuar urdhër për caktimin e masës së ndalimit prej 48 orësh, si i dyshuar kryesor për vrasjen e Mark Ademit.
Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja të kësaj ngjarje tragjike.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.