image Krasniqi: Të aprovohet menjëherë projekti amerikan për infrastrukturën e gazit

Politikë

Krasniqi: Të aprovohet menjëherë projekti amerikan për infrastrukturën e gazit

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar aprovimin e menjëhershëm të projektit amerikan për infrastrukturën e gazit dhe termocentralin me gaz.

Në një komunikatë të lëshuar nga Partia Demokratike e Kosovës thuhet se PDK-ja është duke i përcjellë me shqetësim të madh lëvizjet e Qeverisë së Kosovës rreth aprovimit të planeve investive Compact të agjencisë amerikane MCC në infrastrukturën përgatitore për rrjetin e përçuesit të gazit, si dhe planeve për termocentral me gaz natyror.

“Në kohën kur ekonomia kosovare ka përjetuar goditje dhe është duke u përballur me pasojat e pandemisë, si dhe po vuan mungesën e një plani të mirëfilltë e të qëndrueshëm për rimëkëmbje ekonomike, investimi i 200 milionë dollarëve si grant i pakthyeshëm në ekonominë kosovare, sidomos në sektorin e energjisë, jo vetëm që është i nevojshëm, por përfaqëson edhe interes madhor shtetëror.”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të aprovojë dhe nënshkruajë pa vonesë projektin e MCC për ndërtimin e infrastrukturës për gazpërçuesin dhe termocentralin me gaz, në përputhje me kushtet amerikane tashmë të aprovuara nga Qeveria paraprake.

“Kërkojmë që urgjentisht të procedohet në Kuvend edhe kredia e BERZH dhe granti i Kornizës Investive të Ballkanit Perëndimor për gazpërçuesin, me qëllim të kompletimit të kornizës investive në Kosovë. Lidhja e Republikës së Kosovës në infrastrukturën e gazit që gëzon përkrahjen e plotë të SHBA-ve është interes strategjik, ekonomik dhe gjeopolitik. Vonesat prej gjashtë muajsh në trajtimin me prioritet të këtij interesi shtetëror tashmë kanë krijuar një rrezik të madh për mbarëvajtjen e këtij projekti. Dështimi eventual i tij, jo veç që cenon raportet tona, por njëkohësisht do ta lë Kosovën përjetësisht jashtë mundësisë së diversifikimit të burimeve energjetike, situatë që i shkon në favor vetëm Serbisë dhe forcon pozicionin e Rusisë në rajon”, thuhet më tej.

PDK vlerëson se një projekt i tillë do të lehtësonte edhe koston e energjisë për familjet kosovare dhe do të ndikonte dukshëm në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e gjendjes ambientale dhe dështimi eventual i Qeverisë së Kosovës do të ishte një humbje e madhe për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shtetin tonë, si dhe do të përbënte cenim direkt të interesave tona shtetërore e kombëtare.

/GazetaSinjali/