image Krasniqi: Pushteti i Kurtit s’mund ta ndalojë hetimin parlamentar

Politikë

Krasniqi: Pushteti i Kurtit s’mund ta ndalojë hetimin parlamentar

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferencë të përbashkët për media me Shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie, ka folur për mos-votimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën energjetike, rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe faljen e borxheve të energjisë në veri të vendit.

Krasniqi ka thënë se nuk e di se çfarë po fshehin deputetët e pozitës, të cilët kanë kundërshtuar themelimin e Komisionit Hetimor për çështjet e lartëcekura.

“Çka po fshehin nga opinioni publik deputetët që po kundërshtojnë themelimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve që doli se është e kundërligjshme? Çfarë po fsheh Kurti në faljen e mbi 100 milionë eurove nga taksat e qytetarëve të Kosovës, borxhe të rrymës në veri? Cila është arsyeja për bllokimin për themelimin e këtij Komisioni Hetimor Parlamentar, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot?”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje sot në Kuvend është një precedent i rrezikshëm i demokracisë në vendin tonë, por ka thënë se PDK-ja garanton se ky proces mund të vonohet, por nuk mund të ndalohet.

“Pushteti i sotëm i Albin Kurti, këtë proces mund ta vonojë, por ju siguroj se nuk do të mund ta ndalojë, pasi që ju siguroj se ky hetim do të kryhet dhe nuk do të heshten veprimet e kundërligjshme të kësaj Qeverie”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se deri në votimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, PDK-ja nuk do të votojë asnjë pikë të rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës, por se ka thënë se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seanca.

Krasniqi ka deklaruar se shpreson që deputetët “t’i thërrasin mendjes” dhe të reflektojnë.

“T’i thirrin mendjes, pse duhet të mbrohet dikush që ka shkelur Ligjin? Pse po ndalohet themelimi i Komisionit Hetimor i cili do të zbardhte publikisht se ku kanë shkuar taksat e qytetarëve gjatë këtyre muajve? Neglizhenca e Qeverisë ndaj opozitës deri më tani i ka kushtuar Kosovës me miliona euro. Kjo nuk mund të fshihet, kjo e vërtetë do të dalë në shesh. As Albin Kurti e askush tjetër nuk mund të fshehë keqpërdorimet”, ka deklaruar Krasniqi.

/GazetaSinjali/