Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka premtuar më shumë transparencë komunale dhe shtim të buxhetit për komunat në katër vitet e ardhshme, derisa theksoi se për herë të parë performanca do të bëhet përmes ligjit.
Këtë zotim Krasniqi e bëri para deputetëve në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021’’.
Ministri Krasniqi tha se tashmë janë në procesin e hartimit të akteve nënligjore dhe të dokumenteve të tjera të cilat do të hartohen bazuar në konkluzionet e rekomandimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Derisa shtoi se performanca komunale është një ndër shtyllat kryesore të kësaj ministrie.
“Me mandatin tim kemi marrë disa hapa të cilët kanë qenë të rëndësishëm për funksionalizimin e skemës së grantit së performancës komunale… Do të jetë viti i parë në të cilin do të kemi indikator të rishikuar dhe do të jetë viti i parë në të cilin performanca e komunave do të bëhet përmes ligjit dhe jo përmes rregullores së vjetur. Po ashtu vitin që lamë pas është viti parë që është bërë vizita në terren te komunat përfituese dhe ku janë verifikuar të dhënat të cilat komuna i ka vendosur në sistemin e performancës komunale…Tashmë jemi në procesin e hartimit të akteve nënligjore dhe të dokumenteve të tjera të cilat do të hartohen bazuar në konkluzionet e rekomandimit të ZKA-së. Ky sistem do të shërbej edhe si një platformë e rëndësishme e të dhënave për qytetarët mbi transparencën në përgjithësi… Përformanca komunale është një ndër shtyllat kryesore të kësaj ministrie…Me ligjin e ri të gjitha komunat janë të obliguara të raportojnë për performancen e tyre”, theksoi Krasniqi.
Ai potencoi po ashtu se për katër vitet e ardhshme janë mbi 30 milionë euro për mbështetjen e komunave.
“Për katër vitet e ardhshme janë mbi 30 milionë euro, prej tyre 15 milionë euro të jenë bashkë financuara nga qeveria dhe 15 milionë euro nga donatorët, i cili do të jetë një fond solid, për mbështetjen e komunave. Këtë vit i kemi gjashtë komuna përfituese të cilat janë, Gjakova, Klina, Drenasi, Lipjani, Obiliqi dhe Vitia, mirëpo së shpejti do të bëhet publike renditja e komunave për pjesën e buxhetit. Të gjitha komunat kanë qenë bashkëpunuese, një verifikim në terren i cili është bërë bazuar në ligjin për vetëqeverisje lokale, përjashtim komuna e Vitisë”, shtoi Krasniqi.
Deputetja, Mirlinda Tishukaj-Sadiku nga radhët e Vetëvendosjes, e cila prezantoi të gjeturat e auditimit tha se është e pa pranueshme mos prezenca e zyrtarëve të Asociacionit të Komunave, pasi që sipas saj do duhej të ishin prezentë.
“Është e pa pranueshme mos prezenca e përfaqësuesit të Asociacionit të Komunave, ata do duhej të ishin këtu, sepse edhe mostra e përzgjedhur nga zyra kombëtare e auditimit për ta trajtuar këtë çështje ka të bëjë pikërisht me komunat…Auditimi ka konkloduar se Funksionimi i Grantit i Performancës Komunale i ndarë në dy qasje ka rezultuar me disa mangësi të cilat duhet të ju kushtohen vëmendje. Mangësitë kryesore të identifikuara janë, që mjetet e ndara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkojnë miratim shtesë, regjistrimi i dyfishtë i projektit si investim në vijim, kthimi i mjeteve si suficit dhe mungesa e kritereve për përcaktimin se cila komunë nga cili burim do të përfitojë… Edhe pse rezultatet e synuara për projektet e realizuara janë arritur, komunat nuk kanë dëshmuar mjaftueshëm se kanë integruar grupet e margjinalizuara në këto nisma, që është shumë e rëndësishme të trajtohet ky dimension. Sfidat kryesore ishin kthimi i mjeteve në fund të vitit dhe vonesat e shkaktuara nga alokimi i mjeteve nga financuesit e skemës që ka rezultuar me obligime të bartura për vitin vijues për komunat.. Projektet e financuara nga donatorët gjatë vitit 2021 nuk kanë arritur të përfundohen të gjitha, ndërsa në një rast projektet do të mund të kryheshin më lirë sikur procedura të mos ishte e ndarë në llote”, tha Sadiku, raporton KP.
Ndërsa ka shtuar se ka një planifikim jo të mirë të prokurorimit në katër komuna të vendit.
“Kemi një planifikim jo të mirë të prokurimit, katër komunat e audituara për vitin 2021 kishin planifikuar investim prej 15 milionë euro, ndërsa kontratat nënshkruese ishin afër 22 milionë euro, pra kemi rreth 50 për qind më shumë se totali i kontratave të planifikuara”, shtoi ajo.