Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Demartamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.
Krasniqi thotë se ky raport “shpërfaq dështimin e Qeverisë Kurti për të ndërtuar institucione kredibile, të përgjegjshme dhe të pakorruptuara, në njërën anë dhe, në anën tjetër, dështimin për krijuar një ambient ku vajzat dhe gratë janë të sigurta”.
“Raporti fakton korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin e rasteve të tilla, mungesën e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje apo dhunën seksuale, dhe ngre shqetësimin se si zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në sektorin publik”, ka shkruar Krasniqi sot në Facebook.
Sipas tij, kjo është “historia e vërtetë e kësaj Qeverie” dhe në këto dy vjet, Krasniqi thotë se Qeveria Kurti “ka prodhuar vetëm skandale që kanë prekur të gjithë sektorët: qeverisjen, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, diplomacinë e sigurinë”.
Në fund ai përmend dyshimet për përfshirje në afera korruptive të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishajt, të cilin pas dhjetëra raportimeve të mediave sllovene dhe kosovare për përfshirje në skandal financiar, Kryeministri dhe Presidentja e kanë mbrojtur.
“Padyshim, si emërues i përbashkët i cili vulosë të gjitha këto gjetje që karakterizojnë Qeverinë Kurti, mbetet ambasadori Martin Berishaj, i cili, përkundër raportimeve, fakteve dhe akuzave, vazhdon të mbetet në detyrë pa dhënë asnjëherë llogari për miliona euro të shpërdoruara e të dyshimta”.
“Me Kurtin në qeverisje dhe Martinin si simbol të saj – raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen vazhdimisht!”.