Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur Klan Kosovën, është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike.
Krasniqi thotë se Qeveria Kurti e ka humbur rrugën dhe se çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme, teksa shtoi se qëndrojnë së bashku kundër këtij vendimi.
“Kjo Qeveri e ka humbur rrugën! Nga panika, çdo ditë e më shumë po zhytet në llumin e vendimeve ta padinjitetshme dhe me tendenca diktatoriale. Prandaj, sot, jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij vendimi autoritar dhe në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe medias së lirë.
Mos e mbyllni Klan Kosovën. Diktatura nuk kalon!”, përfundoi Krasniqi.
Në njoftimin e Ministrisë ndër tjera u tha se përpjekjet e “KlanKosovës” për t’i korrigjuar këto shkelje, nuk kanë shkuar deri në fund.
“Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për ‘pronarët e vërtetë të subjektit’ KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si ‘Kosovo’, ndërsa shteti i vet ende si ‘Serbia’, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë”, thuhet në reagim. “Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”
MINT-i po ashtu ka kujtuar se tashmë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj “KlanKosovës” dhe pronarëve të saj.