Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Për këtë vendim është shprehur i lumtur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, që tha se kanë kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mjete juridike dhe se këtë betejë do ta çojnë deri në fund.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar vendimin e padrejtë të sinkronit Qeveri-ZRRE, për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe jam shumë i lumtur që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka miratuar kërkesën tonë për masë të përkohshme që pezullon këtë vendim deri në marrjen e vendimit përfundimtar”.
Krasniqi ka thënë se janë përpjekur që me kohë ta “ndërgjegjësojnë” qeverinë për krizën energjetike, por se kjo s’pati sukses, sipas tij.
“As Kryeministri Kurti e as mazhoranca nuk kanë pasur kurajo për të marrë përgjegjësi përballë krizës. Ata thjesht zgjodhën ta dyfishojnë çmimin e energjisë elektrike, duke ju vendosur një haraç qytetarëve, pikërisht në kohën kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur dhe kostoja e jetesës është bërë shumë e rëndë”.
“Prandaj, kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mjete juridike dhe do vazhdojmë këtë betejë juridike deri në fund, kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë dhe ZRRE-së, në kurriz të familjeve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Krasniqi.