image Krasniqi në Studime të Vushtrrisë, përkujton 116 civilët e vrarë nga forcat serbe

Sociale

Krasniqi në Studime të Vushtrrisë, përkujton 116 civilët e vrarë nga forcat serbe

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar të masakruarit civilë të Studimes së Vushtrrisë, në 23 vjetorin e kësaj ngjarje.

I pari i PDK-së ka kujtuar përmes faqes së tij në Facebook, ngjarjen e rëndë të 2 majit të vitit 1999.

“Me 2 maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun dhe para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një. Atë ditë të kobshme, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sebahudini, djali i Selatinit ishte vetëm 5 vjeç, ndërkaq, nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç”, tha Krasniqi.

Ai ka thënë se në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur, vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e familje të tjera.

“116 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë – fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme. Edhe 23 vite më pas, drejtësia vazhdon të heshtë për të gjithë këta martirë, edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, i cili atëkohë ende nuk kishte nisur shkollën. Sot, ai do të kishte qenë 28 vjeç! Prandaj, ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër”, ka shkruar Krasniqi.

/GazetaSinjali/