image Krasniqi: Kurti ka një mision, largimin masiv nga puna dhe shantazhimin e zyrtarëve publikë

Politikë

Krasniqi: Kurti ka një mision, largimin masiv nga puna dhe shantazhimin e zyrtarëve publikë

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë e ka mision “largimin masiv” nga puna të zyrtarëve publikë, shantazhimin, politizimin dhe nënshtrimin e tyre.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se ky ligj parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë.

“Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike.” – ka shkruar ai.

Në fund, Krasniqi ka thënë se ky ligj ka vetëm një qëllim, sipas tij, “të shkelet e drejta dhe kontributi i zyrtarëve të ndershëm publikë”.

“Gjithsesi, përballë këtyre tendencave kundërkushtetuese, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do ta kundërshtojmë dhe do ta dërgojmë atë në Gjykatën Kushtetuese, ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij.” – ka shkruar ai në fund.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten më 58 vota për dhe 4 abstenime, ka miratuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Pavarësisht kritikave të shumta të opozita, deputetët e LV-së kanë vendosur ta përkrahin këtë projektligj edhe në lexim të dytë.

/GazetaSinjali/