Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës tha se kryeministri Albin Kurti ka gabuar sa i takon procesit të dialogut.
Ai u shpreh se në 2 vite angazhim nuk kanë parë progres të vërtetë përveç takimeve në nivel të lartë mes Kurtit dhe Vuçiq.
“Shumica e këtyre takimeve kanë qenë më shumë momentume për t’i shfrytëzuar të dy palët për çështje të brendshme, për konsum politik, për të treguar populizmin qoftë Vuçiç në Serbi apo Kurti në Kosovë dhe jo për të çuar tutje procese të cilat edhe ashtu kanë qenë të përafruara,” – tha Krasniqi për Euronews.al.
Sipas tij angazhimi i shtuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetë sekretarit Blinken apo Escobar, është një indicie e mirë për vijueshmërinë e dialogut.
Lajçak gjithashtu dhe të dërguarit e Gjermanisë dhe Francës për çështjen e dialogut përveç të dërguarve të tjerë janë një shenjë e mirë gjithashtu, sipas Krasniqit.
Pavarësisht këtij interesimi të shtuar, kreu i PDK-së thotë se nuk janë drejt fundit të një njohje reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit.