image Krasniqi i reagon Qeverisë për raportin e DASH-it, përmend kërcënimet e kufizimet serioze ndaj mediave

Politikë

Krasniqi i reagon Qeverisë për raportin e DASH-it, përmend kërcënimet e kufizimet serioze ndaj mediave

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar ndaj raportit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i cili është publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shkruan Gazeta Sinjali.

Krasniqi ka thënë se si opozitë ky raport përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë, sipas tij raporti ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave.

Përmes një postimi në Facebook ai është shprehur se “në qendër të këtij vlerësimi për vështirësitë e mediave dhe gazetarëve për të raportuar drejtë, hapur dhe në mënyrë të pavarur, raporti ka përmendur pengesat, mungesën e transparencës dhe kërcënimeve, protagonistët e të cilave kryesisht janë vetë njerëzit e pushtetit”.

Sipas Krasniqit, kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike.

“Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht”.

Tutje ai thotë që “duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike”.

/GazetaSinjali/