Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përmes një letre i ka kërkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, që të merren të gjitha veprimet për shpalljen e zgjedhjeve lokale të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar ministri Krasniqi.
“Po, shkresën ia kemi dërguar presidentes Osmani”, u shpreh shkurt ministri i MAPL, Elbert Krasniqi.
Sipas ligjit për Zgjedhjet Lokale, mandati i kryetarit të Mitrovicës Veriore Milan Radojeviq, Zubin Potokut, Srdan Vuloviq, Leposaviqit, Zoran Todiq dhe kryetarja e Zveçanit, Dragisha Miloviq, ka përfunduar në momentin e dorëheqjes.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë Rajonale në Veri, Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb që vozisnin automjete me targa ilegale.
Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës.
Kësaj thirrje ju përgjigjen pozitivisht katër kryetarët e komunave veriore.
Çka thotë ligji për Zgjedhjet Lokale?
Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, në nenin 4, pika 1, thuhet se kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale.
Sipas po të njëjtit ligj, bëhet e ditur se pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të Kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës.
Kësisoj, pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës zgjedhjet e parakohshme shpallen jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërbërjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk ,mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes.
“Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave”, thuhet ndër të tjera në nenin e katërt.