image Krasniqi: I gjithë vendi të solidarizohet me qytetin e Pejës, Qeveria të shfrytëzojë kapacitetet

Siguri

Krasniqi: I gjithë vendi të solidarizohet me qytetin e Pejës, Qeveria të shfrytëzojë kapacitetet

news image

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas tragjedisë në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve mbetën të vdekur dy persona, nënë e bir, raporton Gazeta Sinjali.

Krasniqi tha se me zemër dhe mendje janë pranë familjes Ademaj për të ndarë dhimbjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre.

“Thellësisht i pikëlluar me ngjarjen tragjike në Pejë, ku si pasojë e vërshimeve kanë humbur jetën Mirsada dhe Dion Ademaj, nënë e bir, 30 respektivisht 5 vjeç. Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore”, tha ai.

Ai gjithashtu i ka dëshiruar shërim të shpejtë personave tjerë të lënduar, teksa shtoi se i gjithë vendi pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës.

“Vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë, për të cilët uroj shërim të shpejtë. Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate.

Ftoj edhe Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe të shfrytëzoj të gjitha kapacietet e saj logjistike e materiale, në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e kësaj fatkeqësie”, tha Krasniqi.

/GazetaSinjali/