image Krasniqi e quan Kurtin të "papërgjegjshëm": Nuk ka pse të ikë nga ne dhe as të frikësohet

Politikë

Krasniqi e quan Kurtin të “papërgjegjshëm”: Nuk ka pse të ikë nga ne dhe as të frikësohet

news image

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka mbështetur kërkesën e LDK-së për debat lidhur me marrëveshjen në Bruksel që doli nga plani evropian.

Krasniqi ka thënë se Kurti do të duhej që personalisht të kërkonte raportim në Kuvend, e jo të mos shkojë në seancë.

“Sot është dita e katërt prej që kryeministri Kurti ka deklaruar se e pranon marrëveshjen bazuar në propozimin evropian. Është dita e katërt që gjithandej në Kosovë, diskutohet për këtë marrëveshje, por poashtu edhe për pasojat eventuale që ka kjo marrëveshje në mungesë të qartësie. Një politikan i përgjegjëshëm do të kishte ardhur vetë pa bërë mocion, me iu drejtu Kuvendit për ta njoftuar me dokumentin dhe me çdo pikë që përfshihet aty, por Kurti nuk është këtu as sot. Nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka se me ardhë në Kuvend, e me iu drejtu deputetëve e qytetarëve. Po flasim për marrëveshje që e pranon Asociacionin pa njohje. Jep mundësi për krijimin e një sistemi autonomist për serbët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.

Krasniqi ka thënë se Kurti nuk duhet të ikë nga deputetët.

“Ne absolutisht e mbështesim kërkesën për debat. Një debat e kemi të hapur, ka mbetur e papërfunduar. E vazhdojmë atë pikë. Ai debat është ndërprerë për shkak të ikjes së kryeministrit. Prezenca e tij është e domosdoshme. Nuk ka pse me ik prej neve, e as pse frikësohet. Duhet të diskutojmë bashkë”, deklaroi Memli Krasniqi.

/GazetaSinjali/