Ende asnjë vëzhgues, qoftë nga partitë politike, apo edhe OJQ nuk kanë aplikuar për akreditim në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se afati për aplikim ka filluar para 10 ditësh, por që ende nuk kanë pranuar asnjë aplikacion për akreditim.
“Deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë aplikim për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, edhe pse afati për aplikim ka filluar prej para 10 ditësh. KQZ inkurajon për aplikim pasi roli i vëzhguesve është i pazëvendësueshëm për faktin se ndikojnë në besueshmërinë e procesit zgjedhor”, tha ai.
Elezi më tutje theksoi se afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar është deri me 12 mars.
“Afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike dhe të OJQ-ve është deri më 10 mars, ndërsa afati për vëzhguesit ndërkombëtar dhe mediave është deri më 12 mars. Pra, deri në këto data ne do të presim aplikimet dhe pastaj KQZ-ja bën akreditimin e tyre nëse janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Duhet ta specifikojmë se vetëm vëzhguesit e akredituar mund të përcjellin procesin zgjedhor në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe procesin tjetër në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, tha Elezi për EO.
Elezi tha se të drejtën për të kërkuar akreditim si vëzhgues të një procesi zgjedhor e kanë përfaqësuesit e subjekteve politike të certifikuara, OJQ-të dhe organizatat qeveritare e ndër-qeveritare, sikurse edhe organizatat ndërkombëtare.
“Të drejtën për të kërkuar akreditim si vëzhgues të një procesi zgjedhor e kanë përfaqësuesit e subjekteve politike të certifikuara, OJQ-të dhe organizatat qeveritare e ndër-qeveritare, sikurse edhe organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja. Gjithashtu, edhe mediat duhet të akreditohen në mënyrë që të mund të përcjellin procesin e votimit dhe procedurat tjera në QNR. Aplikimet pranohen nëse bëhen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me përjashtim të aplikimeve me e-mail që vijnë nga jashtë Republikës së Kosovës”, bëri të ditur zëdhënësi Elezi.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.
Tri parti, PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja, kanë caktuar kandidatët me të cilin do të kandidojnë për të marrë postin e të parit të Podujevës. /Gazeta Sinjali/