image Kosovarja që po e sfidon paragjykimin për profesionin e veterinarisë

Arsim/ Kosovarja që po e sfidon paragjykimin për profesionin e veterinarisë

news image

Xhenete Zeka është studentja e vetme e diplomuar në vitin 2019 në departamentin e Veterinarisë, në Universitetin e Prishtinës.

Xheneta rrëfeu për Gazetën Sinjali se për të ushtruar profesionin e veterinarisë në Kosovë është mjaft sfiduese. Ajo tregoi se kur kishte vendosur të studiojë në këtë fushë ishte paragjykuar shumë nga rrethi shoqëror.

Por që me suksesin e saj, ajo ka thyer këto paragjykime, transmeton Sinjali.

Xheneta tha se të jesh veterinare nuk do të thotë të mjekosh vetëm lopët, ashtu siç ishin fjalët e rrethit dhe shoqërisë në fillimet e saj.

Në fillim kur ju tregoja që po studioj reagojshin shumë keq, mjeke e lopëve. Por, tash e marrin më mirë, më thonë paske drejtim shumë të mirë, e pranojnë më lehtë”, u shpreh ajo.

Në njërin prej semestrave gjatë pesë viteve të studimit, Xheneta kishte ndjekur programin Erasmus+, në Gjermani. Ajo tha se atje në departamentin e veterinarisë studionin më shumë vajzat sesa djemtë.

Unë kam qenë pjesë e programit Erasmus+ për një semestër në vitin e kaluar, kam qenë në Gjermani dhe atje raporti në mes të vajzave dhe djemve ka qenë total i ndryshëm, ka pas shumë më shumë vajza e vetëm pak djem”, u shpreh ajo.

Xheneta tregoi që punë gjeti sa ishte në periudhën e fundit të studimeve kur i duhej të përfundonte një praktikë në kuadër të fakultetit. Që nga ajo kohë, Xheneta punon në njërën prej klinikave të veterinarisë në kryeqytet.

Ëndërr e Xhenetës është t’i vazhdojë studimet në po të njëjtën fushë dhe thotë se do të punojë shumë për të arritur këtë qëllim.

Në tri vitet e fundit në Departamentin e Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, sipas statistikave të fakultetit kanë diplomuar gjithsej 46 studentë, ku prej tyre vetëm katër janë femra. Ndërkaq, në listën e veterinarëve të licencuar në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), janë të licencuar gjithsej 56 veterinerë dhe të gjithë prej tyre janë meshkuj./Sinjali/