Gjykata në Prishtinë ka dënuar me 3 vjet burgim ish luftëtarin e ISIS-it, Arijan Krujezi, i cili ishte kthyer në Kosovë, bashkë me mbi 100 persona të tjerë vitin e kaluar.
Shumë kosovarë ia mësynë Irakut e Sirisë për të iu bashkuar organizatës terroriste ISIS. Në vatrat e luftës atje kishte shkuar në vitin 2014 edhe Arijan Krujezi nga Ferizaj.
Atje Krujezi fillimisht kishte shërbyer si pjesëtarë i policisë ushtarake të ISIS.
Kryeziu po ashtu si pjesëtar i kësaj organizate terroriste kishte qenë edhe anëtar i batalionit Abu Musab, Zarqaëi dhe Umar hatab.
Ndërkohë Krujezi në vitin 2019 ishte riatdhesuar në Kosovë, ndërsa Prokuroria Speciale i kishte ngritur aktakuzë për veprën penale Organizimi dhe Pjesëmarrja në grup terrorist.
Sipas aktakuzës të cilën e posedon T7 Krujezi ishte në kontakt edhe me Lavdrim Muhaxhirin, Fitim Lladrofcin dhe Ridvan Aqifin.
I akuzuari po ashtu ka treguar se është futur në Siri në këmbë dhe më pas ka mësuar gjuhën arabe dhe ka bërë ushtrime ushtarake.
E të hënën në Gjykata Themelore në Prishtinë Krujezi është sjellë i rrethuar nga njësitet speciale të Policisë.
Gjykata e ka gjetur fajtor Krujezin për veprën penale që akuzohej. Sipas vendimit të gjykatës të akuzuarit do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi, por pa e kaluar kohën e kaluar në këtë aktgjykim dhe dënimin me burgim.
Por me këtë vendim të Gjykatës nuk po pajtohet pala mbrojtëse e të akuzuarit.
Avokati Ahmet Tahiri thotë se vendimi i gjykatës është i lartë. Ndërkohë pala mbrojtëse ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit.