Një kosovar ka plaçkitur të mërkurën një bankë në Adliswil të Kantonit të Cyrihut. Ai është kapur shumë shpejt pas ikjes nga vendi i ngjarjes, njoftojnë mediat Zvicerane.
Siç bën të ditur Policia Kantonale e Cyrihut, në aksionin për kapjen e personit në fjalë, nuk ka pasur të lënduar.
“Të mërkurën, më 6 nëntor, pak para orës 15 e 30 një burrë i panjohur kishte hyrë në filialin e bankës dhe kishte kërcënuar të pranishmit duke ua drejtuar një revolver dhe duke kërkuar t`ia dorëzonin paratë”.
Pasi që personi në fjalë doli nga banka, aty arritën policët. Ata pastaj e ndoqën plaçkitësin që ishte duke ikur këmbë dhe përfundimisht arritën ta arrestojnë.
Pjesëtarët e Policisë Kantonale të Cyrihut me këtë rast kanë pasur mbështetjen edhe të policive komunale të komunave Adliswil-Langnau dhe Kilchberg.
Grabitësi i kapur i bankës është një shtetas kosovar i moshës 36 vjeçare, me banim në qarkun e Horgenit. Pas marrjes në pyetje nga policia, ai i është dorëzuar prokurorisë përgjegjëse. /Gazeta Sinjali/