Një kosovar në Zvicër është dënuar nga Gjykata Penale e Kantonit Schwyz për përvetësim të padrejtë të fondeve sociale.
I akuzuari ka jetuar për 22 vjet në Zvicër, është i martuar me një bashkatdhetare me të cilën kanë tre fëmijë. Kosovari kishte një leje të përhershme qëndrimi (Vizë C), shkruan Luzerner Zeitung.
Gjykata Penale e ka dënuar atë për mashtrim të shumëfishtë me një gjobë dyvjeçare me kusht, me 90 norma ditore prej 10 frangash. Ai, sipas gjykatës, i ka mashtruar keq mjekët dhe komunën. Shpenzimet procedurale prej rreth 7,500 franga po ashtu i janë ngarkuar atij. Gjykata penale i ka shqiptuar atij gjithashtu një dëbim pesë-vjeçar nga Zvicra, transmeton Gazeta Sinjali.
Interesat publike peshojnë më shumë se ato private të personit në fjalë, arsyeton gjykata. Meqenëse gruaja dhe fëmijët e tij janë po ashtu shtetas të Kosovës, është konsideruar e arsyeshme që i akuzuari të kthehet në Kosovë bashkë me familjen e tij.
Në vitin 2008, 39-vjeçari kishte pësuar thyerje të bazës së kafkës në një aksident pune. Që nga ajo kohë ai nuk kishte punuar më.
Ai pretendon se vuan vazhdimisht nga dhimbje të forta koke dhe marramendje të rënda si dhe ka të vjella. Përveç kësaj, gjysma e majtë e fytyrës dhe krahu i tij i majtë si dhe këmba e djathtë nuk i funksionojnë. Siç thotë më tutje, ai gjithashtu ka vuajtur nga depresioni dhe nuk mund të duronte zhurmën ose praninë e turmave.
Dy aplikime për pension invaliditeti i kanë dështuar sepse atij nuk iu njoh paaftësia e pretenduar për punë. Bazuar në një dëshmi të mjekut të tij, i cili e kishte klasifikuar atë si 100% të paaftë, në vitin 2014 ai kishte treguar se nuk ishte në gjendje të kujdesej për vajzën më të vogël kur gruaja e tij shkonte për të punuar. Për këtë arsye, komuna kishte paguar koston e një vendi pune të kujdesit ditor dhe gjithashtu kishte marrë përsipër kosto të ndryshme mjekimi.
Midis shkurtit të vitit 2015 dhe tetorit 2017, ai kishte marrë të paktën 21,000 franga si ndihmë sociale.
Por, vëzhgimet e bëra kanë zbuluar se ai, duke përdorur këshillat e mjekëve, kishte bërë distanca të gjata rruge me makinë dhe kishte qëndruar në bare, klube dhe restorante për disa netë. Lidhur me këto, raportet psikologjike, neuropsikiologjike dhe mjekësore vërtetojnë se i akuzuari ishte 100% në gjendje të punonte. Simptomat e tij të sëmundjes u konstatua se janë “të falsifikuara qëllimisht”.
“I akuzuari ka kohë që është shëruar nga aksidenti në punë”, thotë prokurori. “Ai kurrë nuk ka vuajtur nga simptomat e përshkruara dhe ka mashtruar fondet sociale”. Prandaj, prokurori ka kërkuar një gjobë me kusht prej 100 njësish ditore, secila nga 30 franga, një gjobë të pakushtëzuar prej 750 frangash dhe një urdhër dëbimi pesë-vjeçar.
“Asnjëherë nuk kam gënjyer”, ka thënë i akuzuari para gjyqit. Që nga aksidenti, gjendja e tij është përkeqësuar në vazhdimësi. Mjekët gjithashtu i kishin thënë që të dilte me njerëz. Në bazë të kësaj, avokati i tij ka kërkuar lirim dhe ka kundërshtuar dëbimin nga Zvicra të klientit të tij. Gruaja dhe fëmijët e të akuziarit janë rritur aty. /Gazeta Sinjali