Në Kosovë ekzistojnë shumë biznese që e prodhojnë energjinë elektrike përmes paneleve solare për përdorim vetanak, mirëpo nuk kanë mundësi që ta shesin atë në rast se prodhimi është më i lartë se konsumi.
Hamdi Malusha, ekspert i Energjisë së Ripërtritshme, thotë se kontrata midis shtetit dhe korporatës energjetike KEDS, po e bën të pamundur ndryshimin e rregullores, e cila do t’ua mundësonte bizneseve, t’ia shesin shtetit energjinë e prodhuar.
“Kontrata e KEDS-it, kontrata fatale për sektorin energjetik edhe pak prodhim që kemi me investime të ministrisë së Bujqësisë nuk mundemi me i kyq në treg, nëse një prodhues në treg, na jep 1 kilovat rrymë, ne më përpara e blejmë 500 euro se 100 euro nga nga vendori, ligji është pengesë, ligji i parasheh, ligji është pengesë për sektorin energjetik, kanë qenë dhe janë akoma, me ligj nuk mundemi me e shit kur e prodhon, a kemi ne mundësi , po, sepse secili kulm i shtëpisë, secili qytetarë është i aftë me prodhua energjinë vet edhe ta lëshon në treg, ligjet këtë nuk e lejojnë, rregullat nuk e lejojnë, tash prodhojnë, nuk mundemi ta shesim ose duhet ta falim, ose duhet ta ndërrojmë, mirëpo ka pasur gabime” theksoi Malushaj.
Qeveria e Kosovës është në proces të fundit të miratimit të Strategjisë për Energjinë përmes së cilët synon që të rregullojë çështjen e furnizimit me energji dhe të transformimit në energji të ripërtëritshme.
Besjana Qorraj- Berisha e cila është zyrtare e lartë për burime të ripërtritshme në Ministrinë e Ekonomisë, thotë se ende janë duke punuar për të finalizuar këtë strategji, e cila për nëntë vitet e ardhshme ua mundëson bizneseve ta shesin rrymën brenda territorit të Kosovës.
“Aktualisht ministria e Ekonomisë është në fazën e draftimit të strategjisë së energjisë që është për periudhën 2022-2031, aty janë të gjithë skenarët si do të shkohet drejtë dekarbonizimit të sektorit të energjisë ku rëndësi të veçantë i jepet edhe sektorëve për energji të ripërtritshme ku kemi vendosur edhe caqe shumë ambicioze, do të jenë kapacitete nga energjia solare dhe dhe nga energjia e erës”, deklaroi Qorraj.
Dardan Abazi, hulumtues në institutin për zhvillim politikash (INDEP), tha për KosovaPress, se qeveria aktuale, është vonuar në finalizimin e ligjit dhe strategjisë për energjinë dhe se ky ngadalësim, po i shkakton dëme ekonomikisht vendit. Ai thekson se strategjinë për energjinë, qeveria kishte premtuar se do ta harton në fillim të vitit 2022.
“Mund të them se qeveria është vonuar shumë në miratimin e strategjisë në projektet e energjisë dhe tashmë po hyjmë në pjesën e gjysmës së parë të vitit, përfundimit të gjysmës së parë të vitit 2022 dhe ende nuk e kemi strategjinë e re të energjisë. Gjithashtu, jemi vonuar në miratimin e ligjit për burime të ripërtritshme të energjisë, qeveria po shkon shumë ngadal me hapa që të miraton këtë ligj dhe, edhe kjo po shkakton disa mundësi të humbura në sektorin e energjisë në mënyrë që investitorët ta kenë mjedisin ligjor dhe institucional të kompletuar përpara se të bëhen investime”, tha ai.
Sipas dikasterit të Ekonomisë, aktualisht ende nuk ka një pako mbështetëse e cila do t’ua mundësonte bizneseve të fuqizohen më shumë në prodhim të energjisë, por këta të fundit mund të bëjnë një marrëveshje midis KOSTT dhe ZRRE për t’ia shitur rrymën të cilën e prodhojnë KEDS-it.
Se Kosova ka potencial maksimal për të investuar në energjinë solare, e ka thënë edhe njohësja e energjisë solare nga Gjermania, Sonja Risteka nga kompania energjetike “Energiwende”.
Ajo deklaroi se Kosova është pjesë e Komunitetit të Energjisë dhe se duhet t’i zbaton të gjitha reformat. Ajo ka kritikuar Qeverinë duke thënë se Kosova duhet të shtojë bashkëpunimin me vendet e rajonit në fushën e energjisë.