Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, kanë takuar nismëtarët e themelimit të Federatës së Lojërave dhe Sporteve Tradicionale të Kosovës.
Prej shumë dekadash në shumë vende në Kosovë vazhdon tradita e ruajtjes së sporteve tradicionale, por që themelimi i një federate gjithnjë kishte munguar.
Për ta aktivizuar federatën dhe bashkërisht edhe klubet e shoqatat nëpër rajone, në zyret e KOK-ut u mbajt takimi me disa prej nismëtarëve, të cilët prej vitesh organizojnë lojëra të ndryshme tradicionale.
Pas diskutimeve të shumta palët u dakorduan që më 5 tetor 2019, të mbahet Kuvendi Themelues i kësaj federate dhe njëkohësisht të zgjedhen organet drejtuese. Në themelimin e kësaj federate do të kontribuojë edhe vetë KOK-u.
Në emër të nismëtarëve, profesori Fadil Hysa shprehu kënaqësinë për nismën e marrë, me besimin se në shumë Komuna do të formohen klube dhe shoqata të cilat me dekada ruajnë sportet tradicionale.