Ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut, transmeton Gazeta Sinjali.
Ajo ka thënë se Kosova është e gatshme të ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e një pike të përbashkët kufitare në mes të dy shteteve.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga homologu i saj në Shkup, Bujar Osmani.
Në një konferencë për media, Gërvalla dhe Osmani kanë thënë se në takimin e përbashkët kanë biseduar edhe për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive.
“Sa u përket pikave kufitare, u jap shumë të drejtë, është diçka që duhet të gjejmë një zgjidhje pragmatike me qëllim që qytetaret mos të detyrohen të presin gjatë në kufi, zgjidhje të tilla nuk ka nevojë t’i shpikim sepse ekzistojnë, i kemi shembujt në vendet e ndryshme, i ashtuquajturi ‘one stop shop është bisedë mes nesh mbetët të gjejnë mundësi konkrete. Si Republikë e Kosovës jemi shumë të gatshëm të ndërmarrim në aspektin teknik gjithçka që është e nevojshme për realizimin e një pike të përbashkët, të një vendkalimi të përbashkët kufitar me qëllim të mos pritet dy herë”, ka thënë Gërvalla.
E ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se partneritetin politik e ekonomik me Kosovën, po tentojnë ta kthejnë në projekte konkrete të cilat do të përmirësonin jetën e qytetarëve në të dy shtetetet.
“Qëllimi është të krijohet një pikë e përbashkët kufitare e dyja vendeve, grupet e punës ka një kohë që punojnë në drejtim të fizibilitetit dhe përcaktimit, ose përgatitjet së një plani të tillë, mbledhja e përbashkët e qeverive duhet të jetë një shtytës i rëndësishëm në drejtim të formalizmit të hapave drejt krijimit të kësaj pike të përbashkët kufitare por nuk ka dilema politke të çfarëdo lloji sa i takon krijimit të kësaj pike kufitare. Bile po tentohet të shkohet edhe më tej në drejtim të liberalizimit të kufijve në rajon me qëllim siç thash lirimit të potencialit të mbyllur tani në rajon për shkak të fragmentimit të tregjeve dhe barrierave administrative që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Osmani.
Gjatë vizitës së saj në Shkup, Gërvalla ka thënë se Kosova është e përkushtuar me Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera të rajonit të thellojnë bashkëpunimin rajonal të gjashtë shteteve të barabarta që për synim e kanë integrimin në Bashkimin Evropian.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, do të takojë sot në Shkup krerët institucionalë dhe do të marrë pjesë në aktivitete kulturore.