image Kosova as këtë vit nuk aplikon për anëtarësim në INTERPOL

Siguri

Kosova as këtë vit nuk aplikon për anëtarësim në INTERPOL

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bën të ditur se Kosova nuk do të aplikojë në Interpol gjatë këtij viti. Derisa thotë se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që vitin e ardhshëm Kosova të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare të sigurisë. Ndërkohë që e vlerëson të qetë situatën e sigurisë në vend, pa incidente serioze në veri.

Ministri Sveçla në një intervistë për KosovaPress paralajmëron se do të jenë edhe më të përpiktë në zbatimin e masave anti-COVID, përderisa thotë se këto të fundit po respektohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai flet edhe për shtimin e numrit të vrasjeve në vend, për çka thotë se Policia e Kosovës është në vazhdimësi e angazhuar që të parandalojë çfarëdo lloj dhune. Teksa shton se janë në fazën e draftimit të ligjit për armët në mënyrë që të mos ketë armë pa leje në duart e shtetasve të Kosovës.

Duke folur për vendimin Interpol-in këtë vit, Sveçla thotë se janë duke bërë përgatitjet e duhura që vitin e ardhshëm Kosova përfundimisht të jetë pjesë e organizatës, gjë që sipas tij, do të bëjë që lufta kundër krimit të jetë më efikase dhe më e lehtë.

“Unë, qysh më herët, kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti ne nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt. Do të fillojmë me përgatitjen e strategjisë për lobim, do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces”, tha ai.

“Normalisht, pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në, që dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, shtoi ai.

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë, veçmas ndaj grave, sipas tij, hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre, që siç thotë ai, duhet që sa më parë të ndërpritet.

“Policia e Kosovës është në vazhdimësi e angazhuar që të parandalojë çfarëdo lloj dhune. Prioritet për ne është dhuna në familje dhe për këtë ka procedura të veçanta, si të raportimit po ashtu edhe të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për sa i takon vrasjeve në përgjithësi”, theksoi ai.

“Tashmë kemi edhe iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe për të ndryshuar po ashtu edhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta dhe të mos përfundojnë vetëm në dënime mandatore, por sikurse të gjitha shtetet në Evropë dhe të gjitha shtetet në rajon, ato masa të jenë më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetarët e Republikës të Kosovës”, thotë ai.

Ai tregon se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin e vrasjes së dyfishtë në Pejë, e që tronditi opinionin në vend.

“Policia e Kosovës, që në momentin e parë është mobilizuar në maksimum të zbulojë rrethanat e kësaj ngjarje tragjike. Tashmë kemi informacione të bazuara mbi atë se çfarë ka ndodhur në këtë rast. Është çështje e hetimeve që në plotni të zbulohen të gjitha rrethanat dhe pastaj të veprohet bazuar në këto të gjetura. Edhe kjo vrasje hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre dhe kjo duhet të ndërpritet”, thotë ministri.

I pyetur për polemikat e fundit me Prokurorinë, Sveçla thotë se nuk është momenti që jashtë dokumentacionit zyrtar, të ketë një lloj shtyrje se “kush e ka mirë”. Ndërkohë që fton këtë të fundit të dokumentojë atë që ka deklaruar.

“Ka jashtëzakonisht shumë ankesa të pjesëtarëve të Policisë të Kosovës, të cilat në kapacitetet e tyre kryejnë detyrat e tyre dhe pastaj aty ngelin, aty ka ngecje në vazhdim. Në atë rast, unë kam qenë i gatshëm që t’ia prezantojë prokurorisë të gjitha faktet, të cilat unë i kam bërë publike, Prokuroria ato veçse i ka. Kështu që nuk është as momenti as mënyra që ne jashtë dokumentacionit zyrtar, të kemi një lloj shtyrje se ‘kush e ka mirë’. Nëse ata mendojnë që unë kam dhënë deklaratë të papërgjegjshme, atëherë le të dokumentojnë këtë. Përndryshe, unë e kam dokumentuar të kundërtën”, thotë ai.

Ai flet edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit, për çka thotë se nuk ka incidente serioze. I pyetur rreth angazhimit të MPB-së në shuarjen e strukturave paralele serbe atje, i pari i këtij dikasteri thotë se këto të fundit duhet të luftohen me të gjithë mekanizmat e shtetit.

/GazetaSinjali/