Situata në Kinë tanimë është tepër alarmante për shkak të koronavirusit. Zemërimi mbarëpopullor ndaj qeverisë sa vjen e rritet dhe kjo lidhet kryesisht me censurimin e fjalës së lirë dhe ndërgjegjësimit publik.
Fillimisht, ishte rasti i doktorit Li Wenliang, i cili ishte i pari që paralajmëroi për pasojat vdekjeprurëse të virusit, por që u dëtyrua ta mbante gojën mbyllur nga autoritetet. 34-vjeçari ndërroi jetë pak ditë më parë duke shtuar zemërimin e qytetarëve në Kinë.
Ndërsa Chen Qiushi, një gazetar që ka raportuar me kritika të forta nga Wuhani, qyteti epiqendër i shpërndarjes së koronavirusit, u shpall i zhdukur të enjten. Ky zhvillim mobilizoi qindra mijëra qytetarë të Kinës të kërkonin të drejtën e fjalës me fushata sensibilizimi në internet.
“Ne nuk mund të përballojmë një Li Wenliang të dytë”, shkruan një person.
Thirrja e tij u dëgjua menjëherë nga qeveria e Kinës, që censuroi dhe hashtagun për këtë problem. Familjarët dhe miqtë e Chen zbuluan se policia e detyroi atë të qëndronte në karantinë.
Mijëra qytetarë kërkuan lirimin e tij duke përdorur rrjetin social Weibo, ndërsa shpresojnë që ai të ketë marrë një trajtim të kujdesshëm dhe të drejtë, pa dhunë psikologjike apo fizike.