Të prekurit nga virusi i ri me origjinë nga Kina kanë arritur në mbi 80 mijë në të gjithë botën dhe një pjesë e madhe njerëzisht po qëndrojnë në karantinë për një periudhë 14 ditore, kohë kjo e nevojshme që i duhet koronavirusit për t’u shfaqur.
E nëse shumë njerëz e përjetojnë në panik periudhën e karantinës, me frikën se mund të jenë dhe ata mbartës të virusit vdekjeprurës, nuk mund të themi të njëjtën gjë për 720 e personat e bllokuar në resortin “H10 Costa Adeje Palace” në Tenerife.
Prej disa ditësh qendra e pushimeve në bregdetin spanjoll është “mbyllur” dhe nuk lejohet asnjë nga pushuesit të hyjë apo të dalë jashtë pasi një çift turistësh italianë dhe dy miqtë e tyre rezultuan të prekur me koronavirus.
Duke qenë se largimi është i pamundur, turistët kanë gjetur mënyrën më të zakonshme për të kaluar karantinën në një resort pushimesh; të bëjnë plazh.
Imazhet që vijnë nga brenda resortit tregojnë që dhjetëra pushues në “H10 Costa Adeje Palace” kanë sfiduar frikën dhe shfaqen në ambientet e brendshme duke bërë plazh, pirë shampanjë apo provuar kuzhinën e larmishme pasi kanë mësuar se nuk do të largohen prej aty deri në ditët e para të marsit. Normalisht që disa prej tyre kanë dhe maskë mbrojtëse.
Ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e të gjithë pushuesve që kanë qëndruar në resort gjatë kohës kur atje ishin të pranishëm dhe 4 turistët italianë që rezultuan pozitivë me koronavirus.