H. Haliti, plaku 82-vjeçar nga Dumnica e Podujevës është personi i parë që ka vdekur nga koronavirusi në Kosovë. Ai është ndarë nga jeta sot në ora 9:00, ka konfirmuar ekipi mjekësor në Klinikën e Infektivës.
Fillimisht rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar djali i të ndjerit, e më pas u dha njoftimi edhe nga Instituti i Shëndetësisë Publike.
I ndjeri ishte babai i të infektuarin me virusin Covid-19, i cili kishte ardhur nga Itali javë më parë.
Siç mëson Gazeta Sinjali, babë e bir kanë jetuar se bashku në një shtëpi, në Dumnicë dhe pasi djali i tij ka rezultuar pozitiv me koronavirus, analizat i janë bërë edhe babait i cili po ashtu ka rezultuar pozitiv.
Siç kanë theksuar familjarët e të infektuarve, plaku i ndjerë përveç se e kishte koronavirusin, ishte i sëmur në mushkri dhe ka pasur probleme me zemër, shkruan Gazeta Sinjali.
Pasi 82 vjeçrait i ishin shfaqur simptomat e para, me rekomandim të Infektologes ishte dërguar në Klinikën Infektive për t’i bërë analizat dhe pasi kishte rezultuar pozitiv, sipas familjarëve plaku kishte qëndruar në të njëjtën dhomë me të birin e tij.
Halim Haliti është pranuar në Klinikën Infektive më 16 mars, ndërsa në ditën e 6-të sëmundjes ai ka vdekur.
“Pacienti lindur më 1938 fshati Dumnicë, Komuna Podujevës është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020 në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas është diagnostikuar në Laboratoret e IKSHPK me SARS-CoV-2. Pacienti ka patur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore (SPOK)”, thuhet në njoftimin e Institutit të Shëndetësisë Publike, transmeton Gazeta Sinjali.
Të infektuar me koronavirus janë djali dhe vajza e 82-vjeçarit të vdekur.
Deri më tani në Kosovë janë 30 persona të infektuar me koronavirus dhe një vdekje. / Gazeta Sinjali/